Shqipëria shtrenjtohet më tej, çmimet e ushqimeve e kalojnë për herë të parë mesataren e BE

E thënë më thjesht, një shportë ushqimesh që mesatarisht kushton 100 euro në Bashkimin Europian, në Shqipëri kushton rreth 103 euro

Konsumatorët shqiptarë kanë konsumin individual për frymë të fuqisë blerëse sa 48% e mesatares së Bashkimit Europian dhe të ardhurat për frymë sa 43% e mesatares së Bashkimit Europian.

Për konsumin sipas fuqisë blerëse, Shqipëria renditet e parafundit në Europë, duke lënë pas Bosnjën, ndërsa për të ardhurat për frymë është në nivele të njëjta me Maqedoninë e Veriut dhe sërish lë pas Bosnjën. (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Megjithatë, kur vjen puna për çmimet e ushqimeve, shqiptarët po i paguajnë ato gjithnjë e më shtrenjtë në raport me mesataren e Bashkimit Europian, të matura sipas fuqisë blerëse.

Të dhënat më të fundit të Eurostat, që pritet të bëhen publike sot, të përpunuara nga Monitor, bëjnë të ditur se çmimet e ushqimeve për herë të parë janë rreth 3% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian. Çmimet janë rritur me shpejtësi, nga 85% e mesatares së BE-së që ishin në 2022-n, në 99.6% në 2024-n, për të kaluar në 102.9% në 2025-n.

supermarkete. Më herët, Studiuesi Ilir Ciko ka prezantuar disa gjetje paraprake të studimit “Indeksi i Konkurrencës në Treg (MCI) për Ballkanin Perëndimor: 2026.

“Për konsumatorin e thjeshtë shqiptar, rezultatet dëshmojnë se produktet që ai blen në markete europiane në Shqipëri, zhveshur nga efekti i ndryshëm i TVSH-së, kushtojnë mesatarisht 83% më shumë se saktësisht të njëjtat produkte të shitura saktësisht nga të njëjtat kompani në tregun Europian, ndërkohë që fuqia blerëse e tij, është vetëm 41% e mesatares së BE”, thuhej në studim.

Ankesat për çmimet e larta nuk vijnë vetëm nga konsumatorët vendas. Në forume udhëtimi si Reddit, Tripadvisor dhe grupet e turistëve që vizitojnë Shqipërinë, një nga komentet më të shpeshta është se supermarketet në Shqipëri janë më të shtrenjta sesa prisnin, madje për disa produkte bazë çmimet krahasohen me ato të vendeve të Europës Perëndimore.

Turistët shpesh vënë në dukje kontrastin mes të ardhurave të ulëta të vendit dhe çmimeve relativisht të larta të ushqimeve në markete.

Në TripAdvisor, në temën “Ku mund të blini ushqime që nuk janë të shtrenjta?”, një vizitor shkruan se supermarketet në Shqipëri janë “shumë të mbivlerësuara” dhe se nuk kishte parë “çmime kaq absurde”, sidomos duke e krahasuar vendin me Maqedoninë e Veriut.

Në një tjetër diskutim në TripAdvisor për Tiranën, përdoruesit thonë se çmimet në zinxhirë supermarketesh janë “shumë të larta” dhe “më të larta se jashtë”. Edhe në Reddit, në r/Albania, turistë dhe të huaj që jetojnë përkohësisht në vend ankohen se blerjet bazë në markete apo dyqane të vogla në Durrës u kanë kushtuar më shumë nga sa prisnin.

Në një diskutim të fundit në Reddit, një turist që vizitoi Tiranën u ankua se në supermarketet e mëdha një litër qumësht kushtonte rreth 300 lekë, gjoksi i pulës 1,700 lekë/kg dhe një paketë musli 500 gramë mbi 1,000 lekë, çmime që i konsideroi “çuditërisht të larta” krahasuar me çmimet në restorante dhe bare.

Ndërsa një turist në Durrës raportonte: “Bleva 2 domate, 1 limon dhe 1 mollë për 3 euro”, duke thënë se çmimet reale rezultuan shumë më të larta sesa ato që kishte parë në faqet ndërkombëtare të krahasimit të kostos së jetesës./ Monitor

Zbuloni më tepër nga

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin