
Aktorja turke Biran Damla Yılmaz, e njohur për rolin e saj kryesor në serialin “Halef”, është bërë së fundmi objekt i një debati të gjerë mediatik pas deklaratave të ish të fejuarit të saj, biznesmenit Abdurrahman Aydın.
Pak javë pas ndarjes së tyre, Aydın doli publikisht me akuza të rënda, duke pretenduar se aktorja i detyrohet rreth 144 mijë euro për ndërhyrje estetike që ai, sipas tij, i kishte financuar në Gjermani. Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se ndaj Yılmaz ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar për shkak të këtij borxhi të pashlyer.
Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në mediat turke, duke e vendosur aktoren në qendër të vëmendjes publike në një moment kur ajo po fokusohej te karriera dhe projekti i saj i ri televiziv.
Megjithatë, në një intervistë të fundit, 28-vjeçarja ka vendosur të reagojë hapur ndaj akuzave, duke i mohuar kategorikisht ato. Yılmaz ka sqaruar se udhëtimi i saj në Gjermani nuk ka pasur asnjë lidhje me ndërhyrje estetike, por ka qenë i domosdoshëm për arsye shëndetësore.
“Unë nuk bëra estetik, u operova nga mitra. Që një ditë të mund të bëhem nënë u operova,” është shprehur aktorja, duke theksuar se ndërhyrja ka qenë e lidhur me shëndetin e saj riprodhues dhe jo me ndryshime estetike.
Ajo ka shtuar gjithashtu se prej kohësh vuan nga një problem hormonal i njohur si pamjaftueshmëri e gjëndrave mbiveshkore, dhe se operacioni është kryer me qëllim ruajtjen e fertilitetit dhe mundësinë për të pasur fëmijë në të ardhmen.
Sipas saj, e gjithë çështja është keqinterpretuar dhe po përdoret në mënyrë të padrejtë në publik, duke e reduktuar një problem shëndetësor femëror në akuza të pavërteta dhe sensacionaliste.



