
Tiranë, 8 korrik (Reuters) – Kryeministri Edi Rama mbrojti të mërkurën vendimin e qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West (YE), duke u përpjekur të zbusë reagimet e forta publike ndaj këtij eventi, i cili ka shtuar tensionin mes protestave dhe kërkesave për dorëheqjen e tij.
Kanye West, i njohur edhe si YE, është ndaluar të performojë në disa vende europiane gjatë kësaj vere, pas deklaratave të tij që kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përdorimin e simbolikës naziste.
Koncerti, i planifikuar për më 11 korrik në periferi të Tiranës, do të zhvillohet në një stadium të përkohshëm, të ndërtuar posaçërisht për këtë ngjarje.
“Alokuam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur një turpërim të Shqipërisë përballë rreth 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët kishin blerë tashmë biletat për koncertin e Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se ai mund të anulohej,” shkroi Rama në Facebook.
Sipas kryeministrit, eventi pritet të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, si rezultat i rritjes së prenotimeve në sektorin e akomodimit dhe turizmit.
Deklarata e Ramës u shoqërua me një valë komentesh kritike në rrjetet sociale.
“Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që admiron Hitlerin,” shkroi një komentues. Ndërsa një tjetër reagoi: “Turp! Jo me paratë e mia!”
Prej më shumë se një muaji në Tiranë zhvillohen protesta të përditshme. Ato nisën kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump.
Më pas, protestuesit zgjeruan kërkesat e tyre duke kundërshtuar edhe projekte të tjera zhvillimi pranë zonave të mbrojtura bregdetare, si dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion. Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Burimi: Reuters



