“Si Palermo e viteve ’70!” / Gazetarja e njohur polake: Shqipëria po ndërtohet mbi pastrim parash

Rejmer shpjegon se pas fasadës luksoze të kullave dhe investimeve që po mbijnë çdo ditë, fshihet degradimi i jetës së qytetarëve të thjeshtë

Një shpërthim i fortë ka ardhur nga gazetarja dhe shkrimtarja e njohur polake, Margo Rejmer. Përmes një statusi të gjatë dhe mjaft kritik, ajo ka goditur drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke zbërthyer modelin ekonomik dhe politik të Shqipërisë, i cili sipas saj bazohet plotësisht te krimi i organizuar dhe pastrimi i parave të pista.

Rejmer shpjegon se pas fasadës luksoze të kullave dhe investimeve që po mbijnë çdo ditë, fshihet degradimi i jetës së qytetarëve të thjeshtë, të cilët po mbyten nga rritja e frikshme e çmimeve dhe qirave.

“Dhjetëra mijëra shqiptarë po protestojnë sepse modeli i zhvillimit të vendit, i bazuar në investime luksoze dhe pastrim parash të pista, nuk ka sjellë kurrë mirëqenie në asnjë vend. Biznesmenë të lidhur me mafian ndërtojnë komplekse apartamentesh, “parkohen” paratë dhe çmimet fryhen artificialisht. Një ndërmjetës me të cilin fola së fundmi tha: “Palermo e viteve ’70. Shqipëria është kthyer në një kantier gjigant ndërtimi”, shkruan Rejmer, duke vënë gishtin te monedha vendase e mbivlerësuar që po godet ekonominë.

“The Albanian Files” dhe korrupsioni moral i arkitektëve të huaj
Një pjesë të rëndësishme të shkrimit të saj, gazetarja polake ia kushton asaj që e quan “The Albanian Files”. Sipas saj, ky nuk është thjesht një dokument i korrupsionit shqiptar, por një provë e pastrimit të parave në shkallë gjigante dhe një dëshmi e korrupsionit moral të arkitektëve ndërkombëtarë që kanë marrë përsipër të bëjnë fasadën e Ramës.

Emra të njohur botërorë si Winy Maas, Stefano Boeri dhe Bjarke Ingels akuzohen nga gazetarja se kanë mbyllur sytë para pyetjes bazë: Si ka mundësi që një vend i varfër ka kaq shumë para për qindra investime dhe kulla gjigante?

Ajo shton se në këto projekte nuk përmendet asnjë arkitekt shqiptar, pasi Edi Rama ka zgjedhur vetëm emra të huaj për t’u shitur si lider vizionar përpara një populli që e konsideron “të prapambetur”. Kulmi arrin me arkitektin holandez Reinier de Graaf, i cili në këto dosje shprehet hapur se “do të donte që Rama të bëhej mbret i Shqipërisë”.

Pyetja e madhe: A do t’i bashkojë SPAK-u fijet deri te Rama?
Në mbyllje të reagimit të saj, Margo Rejmer sqaron se përgjegjësia për çdo tullë dhe beton që hidhet në Shqipëri është e centralizuar në nivelet më të larta të qeverisjes, pikërisht te zyra e kryeministrit.

“Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar për Territorin dhe Ujërat, komisioni që miraton çdo investim në Shqipëri, jep leje ndërtimi dhe vlerëson çdo projekt. Asnjë investim nuk ndodh pa miratimin e kryeministrit. E gjithë kjo shihet në pëllëmbë të dorës. Tani e gjithë Shqipëria po pyet: a do t’i lidhë SPAK këto pika”, përfundon gazetarja polake.

Zbuloni më tepër nga

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin